“Speciali” Mourinho stërvit nga zyra

25/10/2016 00:00

Ambienti te Manchester United nuk është aspak i mirë dhe Jose Mourinho nuk po e “vë ujin në zjarr” për të kthyer harmoninë te grupi i lojtarëve. Sipas “The Times”, marrëdhënia mes trajnerit portugez dhe futbollistëve të tij është shumë e ftohtë.

Gazeta prestigjioze londineze thotë se Mourinho ka akuzuar lojtarët për “gabimet e pabesueshme në mbrojtje” kundër Chelsea dhe ata nuk ndihen aspak të mbështetur nga stafi teknik. Për më tepër, stërvitja e “Djajve të Kuq” drejtohet nga Rui Faria, ndërsa vetë Mourinho i ndjek këto stërvitje nga zyra.

Edhe deklaratat e fundit të “Special One” nuk duket se do të përmirësojnë marrëdhënien e tij me futbollistët. Në konferencës për shtyp pas humbjes 4-0 ndaj Chelsea, ai tha: “Nuk mund të fshihemi. Kjo nuk është lojë fëmijësh. Jemi burra dhe duhet të sillemi si të tillë”.

Ndeshja e radhës për United do të jetë derbi me Manchester City, e vlefshme për Kupën e Ligës.

Top Channel