Banka Botërore: Më shumë projekte për pushtetin vendor

24/10/2016 00:00

Zyra e Bankës Botërore në Shqipëri ka zhvilluar një takim në qarkun e Elbasanit për të diskutuar së bashku me grupet e interesit rreth çështjeve sociale dhe ekonomike.

E nxitur edhe nga kërkesa e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit për më shumë vëmendje ndaj pushtetit vendor, drejtoresha e BB për Shqipërinë, Tahseen Sayed u shpreh optimiste për projektet e vitit të ardhshëm.

“Banka Botërore ka një bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë, në aspekte të ndryshme të zhvillimit të vendit. Kjo është një çështje për të cilën kemi folur edhe me kryetarin e bashkisë dhe ai ka dakordësinë tonë për faktin që duhet të ketë investime dhe mbështetje edhe në nivel vendor. Banka Botërore në mënyrë të vazhdueshme takohet me aktorë të ndryshëm për të diskutuar fushat ku ajo vepron dhe planet për të ardhmen. Programet janë në zhvillim e sipër dhe të gjitha ato bashki të cilat kanë nevojë për ndihmë shpresojmë që të jenë pjesë e kësaj ndihme”, deklaroi Sayed.

Gjatë takimit me grupet e interesit u morën mendime për programin aktual të BB në Shqipëri dhe opinione rreth planeve për të ardhmen.

Top Channel