“Flauti Magjik”, opera e mbushur me mister, kompozuar nga Mozart do të jetë premiera e parë për këtë sezon në TKOB. Magjinë e përrallës mozartiane për skenën shqiptare e ka zbërthyer regjisori Nikolin Gurakuqi,  i cili ka zgjedhur që krahas kastit shqiptar të operës, “Mbretëresha e Natës” të jetë një soprano turke.

“Kjo përrallë është në të gjithë materialin muzikor, që në tre akordet e para ku tregohen piramidat. Kjo piramide është piramida masone me syrin që kontrollon çdo gjë. Ky sy është Zarastro, që përfaqëson diellin dhe bota tjetër është errësira e përfaqësuar nga Mbretëresha e Natës”, shprehet Nikolin Gurakuqi, regjisor.

Përralla që gjyshja i tregonte Mozartit çdo mbrëmje u kompozua prej tij rreth fundit të viteve 1700. Gurakuqi e sjell në skenën shqiptare sa origjinale e filozofike, aq edhe bashkëkohore, duke shtuar elemente të teknologjisë.

“Teatri gjerman në përgjithësi dhe teatri mozartian në veçanti janë teatro që merren me filozofi edhe nëpërmejt një përralle. Këtë kam dashur të paraqes në një hapësirë skenike të madhe, ku personazhet të veprojnë në një hapësirë që ka dy simbole: botën e diellit dhe të errësirës, por duke e shkrirë këtë me teknologjinë”.

“Die Zauberflote” vjen për publikun shqiptar në kuadër të 60 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë e Shqipërisë, ç’ka ka sjellë në Tiranë edhe dirigjentin austriak Pierre Pichler. “Flauti magjik” është vënë për të parën herë në skenën e Vjenës në vitin 1791. Në skenën shqiptare do të shfaqët për publikun në datat 23 dhe 25 tetor.

Top Channel