Hapen universitetet, kuotat e paplotësuara; rektorët: Ejani regjistrohuni

20/10/2016 00:00

Plot 20 mijë studentë të rinj janë ulur për herë të parë në auditorët e univeristeteve publike, të përzgjedhur me skemën e re të pranimit, ndërsa kanë mbetur edhe 4.000 kuota të paplotësuara, duke pritur spostimin e vizës së kuqe sipas fazave dyditore.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla renditi asryet e ndryshimit të skemës së mëparshme, ku 20% zinte nota e tre viteve të shkollës së mesme dhe 70% ajo e maturës shtetërore.

“Sa peshonte kopja? E llogarit dot kush? Provimet e maturës nuk kishin një kufi të përcaktuar, asgjë nuk ishte transparente por kufiri ndryshonte nga provimi në provim pasi nuk vendoste merita por politika. Dhe ishte vendimmarrja e ministrit të Arsimit që përcaktonte mes varianteve që vinin nga AKP-ja për nivelin e kalimit nga një provim në tjetrin të maturës shtetërore”, deklaroi Nikolla.

Duke bërë një paralelizëm me të shkuarën, skema e re për ministren e Arsimit është transparante pasi nuk çon më ministria lista me shtesa, por vetë sistemi i përzgjedh, ndërkohë që u mundësohen studime të larta të gjithëve, por sipas meritës.

“Vetëm nga renditja e gabuar sistemi ka shpallur jofitues në 3 vitet e fundit 504 maturantë me mesataren mbi nëntë. Në vitin 2013, 3 mijë e 926 maturantë me mesatare nën 6 janë shpallur fitues dhe 2.300 maturantë me notë mesatare mbi 7 jofitues”, tha Nikolla.

Fazat dyditore pritet të vijojnë deri më datë 28 tetor, ndërkohë që disa universitete kanë deklaruar se do të vijojnë të pranojnë derisa të përmbushen kuotat e pranimit.

Majfton që studentët të jenë të vëmendshëm ndaj portalit “U Albania” në momentin që u shfaqet me jeshile dega që ata preferojnë për t’u regjistruar, pasi pas dy ditësh e drejta digjet duke i kaluar maturantit pasardhës.

Top Channel