Siri, e shoqja e Assadit refuzon ofertën për azil: Duan të minojnë presidencën e Bashar

18/10/2016 00:00

Zonja e Parë e Sirisë ka bërë të ditur se ka refuzuar një ofertë, sipas së cilës ajo do të largohej e sigurtë nga vendi i trazuar prej luftës civile thuajse 6-vjeçare.

Asma al-Assad ka vendosur të qëndrojë në krah të bashkëshortit të saj, duke e argumentuar këtë me besimin se, ata që po i ofrojnë asaj një “shtëpi të re”, po përpiqen të minojnë presidencën e bashkëshortit Bashar al-Assad.

Në një intervistë të dhënë për televizionin shtetëror rus “Rossiya 24”, ajo refuzoi gjithashtu të bënte të ditur se cili person apo vend e kishte bërë këtë ofertë, ndërkohë që falënderoi Rusinë për “përpjekjet e paçmueshme” në mbështetje të regjimit të të shoqit.

Assad, faqet e mediave sociale të së cilës janë të mbushura me fotografi të takimeve të saj me jetimë dhe të plagosur, tha për median ruse se “kam qëndruar këtu prej fillimit dhe nuk e kam çuar kurrë ndër mend të largohem diku tjetër”.

“Po, më është ofruar mundësia për t’u larguar nga Siria, ose për t’ia mbathur prej vendit tim. Oferta përfshinte edhe garanci për jetën time dhe mbrojtje për fëmijët e mi, përfshi këtu edhe mbështetje financiare. Nuk ka nevojë të jesh gjeni, për të kuptuar se çfarë po ofrojnë realisht këta njerëz. Ka qenë thjesht një përpjekje e dëshpëruar për të shkundur besimin e popullit ndaj presidentit të tyre”.

Ish-punonjësja e një banke investimesh, e cila është lindur në Londër, është Zonjë e Parë e Sirisë që prej vitit 2000, kur bashkëshorti i saj al-Assad mori presidencën nga babai i tij Hafez, i cili sundonte prej vitit 1971.

Lufta civile siriane nisi pasi rebelët pro demokracisë kërkuan largimin e Assadit nga pushteti duke “pushtuar” rrugët në mars të vitit 2011, ndërsa autoritetet i shtypën brutalisht protestat e tyre. I dërguari special i OKB-së në Siri, Staffan de Mistura, përllogariti më herët gjatë këtij viti se rreth 400 mijë persona kanë humbur jetën nga dhuna në vend.

Top Channel