Shtëpia e Hitlerit do të shembet

17/10/2016 00:00

Shtëpia ku lindi Adolf Hitler do të shembet për të mos lejuar që të shndërrohet në një qendër për neonazistët.

E ardhmja e ndërtesës në qytezën austriake Braunau am Inn është debatuar gjerësisht në Austri, ku opinioni ishte i ndarë nëse shtëpia duhej shembur apo nëse duhej përdorur për diçka tjetër.

Debati u ndërlikua edhe më shumë kur pronari i ndërtesës refuzoi që ta shiste. Por ministri i Brendshëm i Austrisë Wolfgang Sobotka tha se një grup ekspertësh doli në përfundimin se shtëpia duhet shembur.

Lajmi raportohet nga gazeta austriake “Die Presse”, sipas së cilës pas shembjes së shtëpisë, aty do të ndërtohet një godinë e re që mund të përdoret për qëllime administrative apo bamirësie.

Kjo u konfirmua edhe nga ministri Sobotka në intervistën për “Die Presse”. Shtëpia ku lindi Hitleri ishte prej vitesh objekt debatesh mes pronarit dhe qeverisë, e cila e ka marrë me qira që prej vitit 1972 dhe aktualisht paguan 4800 euro qira në muaj.

Por gruaja që zotëron shtëpinë, e cila tashmë është në pension, refuzon që t’ja shesë ndërtesën qeverisë. Mediat austriake raportojnë se së shpejti parlamenti pritet të kalojë një ligj të ri që do të lejojë sekuestrimin e shtëpisë nga pronari aktual duke i hapur rrugën shembjes së saj.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel