Kina, me mision në hapësirë

17/10/2016 00:00

Me qëllimin për të zhvilluar aftësitë e saj në eksplorimin e hapësirës, Kina dërgoi dy astronautë në laboratorin eksperimental “Tianging 2”. Ata do të qëndrojnë atje për 30 ditë, periudha më e gjatë kjo në hapësirë për astronautët kinezë.

Anija kozmike “Shenzhou-11” u nis në 7:30 të së hënës nga qendra e Jiuquan, në veri të Kinës, përmes një rakete “2F”. Ky, por edhe operacionet e tjera të ngjashme, shihen si parapërgatitje për misione në Hënë dhe në Mars.

Astronautët që po marrin pjesë në misionin e fundit janë Jing Haipeng, i cili ka qenë dy herë në hapësirë dhe 37-vjeçari Chen Dong. Ata do ta kalojnë muajin e ardhshëm duke zhvilluar eksperimente në stacionin e dërguar në hapësirë muajin e kalluar. Përgjegjësi i misionit, Zhang Youxia konfirmoi suksesin e tij.

“Sipas raportimeve nga qendra e kontrollit dhe e komandës së Pekinit, fluturimi raketor është në status normal. ‘Shenzhou 11’ ka hyrë në orbitën e paracaktuar, panelet diellore u hapën normalisht dhe astronautët janë në gjendje të mirë. Njoftoj se nisja e misionit ishte një sukses”, tha ai.

Kryeministri kinez, Li Keciang, dhe zyrtarë të tjerë ndoqën drejpërdrejt nisjen e operacionit nga qendra e komandës në Pekin dhe përgëzuan inxhinerët, pas njoftimit se gjithçka kishte shkuar mirë. Kryeministri tha se misioni do t’i mundësonte Kinës të ndërmerrte hapa të mëtejshme në eksplorimin e hapësirës dhe të ofrojë kontribute të reja në shndërrimin e vendit në një fuqi hapësinore.

Kina, e cila u përjashtua nga stacioni hapësinor ndërkombëtar për shkak të shqetësimeve lidhur me natyrën e ambicieve të saj, ka shtuar investimet dhe përpjekjet për programe të tilla dhe planifikon të zhvillojë të paktën 20 misione këtë vit.

Top Channel