Tentojnë të korruptojnë agjentët e qarkullimit, 6 në pranga

15/10/2016 00:00

Policia në Vlorë ka arrestuar në flagrancë 3 persona, të cilët në raste të ndryshme tentuan të korruptonin punonjësit e qarkullimit rrugor për t’i shpëtuar masës ndëshkimore.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave në pranga kanë rënë shtetasit Ylli Zanaj, Ëngjëllush Pasho dhe Koron Muhaxhiri.

Sipas burimeve, Zanaj, 54 vjeç dhe Pasho, 22, u ndaluan për shkak të drejtimit të mjeteve përkatëse, “Benz” dhe “Fiat Punto”, pa dokumentet e duhura dhe pse tentuan t’i jepnin agjentëve të policisë, njëri 2.000 dhe tjetri 1.000 lekë të reja.

Ndërsa 46-vjeçari Muhaxhiri, banues në Krujë, u ndalua duke drejtuar mjetin e tij tip kamionçinë me targë “AA 167 MJ” në aksin Vrion-Finiq pa rrip sigurimi. Ai është përpjekur t’i shpëtojë gjobës duke i ofruar patrullës policore 500 lekë.

Ndërkohë, një tjetër rast i mitdhënies ndaj oficerëve të policisë është verifikuar në Devoll, me uniformat blu që kanë vënë në pranga një person.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se rasti është verifikuar kur shtetasi Luan Matriaxhiu, 35 vjeç, është ndaluar për mosvënien e rripir të sigurimit.

I ndodhur në vështirësi, ai i ka ofruar 2.000 lekë punonjësit të policisë për t’i shpëtuar masës ndëshkuese, por ka përfunduar në pranga.

Materialet i kanë kaluar tashmë Prokurorisë së Korçës, nën akuzën e “korrupsionit aktiv” të funksionarëve publikë.

Ndërkohë, në rrethana të ngjashme është arrestuar në Elbasan shtetasi Misir Boja, 48 vjeç. Edhe ky i fundit u ndalua nga policia pasi nuk kishte vendosur rripin e sigurisë teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Volkswagen”, me targë “AA359JY”.

Top Channel