Dita e Ashurës, pelegrinët shiitë mblidhen në Qerbela

12/10/2016 00:00

Turma gjigante pelegrinësh kanë vërshuar drejt Qerbelasë në Ditën e Ashurës, një festë e shënuar kjo në kalendarin shiit. Besimtarët kanë ndjekur traditën, duke rrahur gjoksin e duke fshikulluar veten me kamxhik në formë vajtimi për martirizimin e imamit Hussein.

Shiitët në Irak, të shënjestruar shpesh prej sunitëve, së fundi janë goditur vazhdimisht edhe nga ekstremistët e Shtetit Islamik. Për këtë arsye, 30 mijë forca sigurie mbushën rrugët e Qerbelasë për mbrojtjen e pelegrinëve.

Festimet e përvitshme të Ashurës janë kujtesë e vrasjes së nipit të Profetit Muhamed dhe disa pjesëtarëve të familjes së tij në shekullin e VII në këtë zonë. Festa tërheq çdo vit një numër masiv besimtarësh, e këtë radhë, siç pati pohuar më herët zëvendësguvernatori i qytetit, Ali al-Mayali, Qerbelaja është përgatitur të mirëpresë gati 3 milionë vetë.

Ideja e sakrificës gjen peshë të madhe tek Islami, duke frymëzuar besimtarët të japin jetët e tyre për kauzën. Kremtimi i Ashurës përcillet në pjesë të ndryshme të botës përmes imazheve të forta të pelegrinëve që vajtojnë vdekjen e imamit, sa me klithma, sa me lotë që u dalin rrëke nga sytë, ndërsa të tjerë rrahin veten me grushta e fshikullohen në shenjë pendese.

Këto gjeste përcjellin keqardhjen e tyre që shumë prej pasuesve të Husseinit nuk dolën në fushën e betejës përballë armikut.

Top Channel