“Desierto”, filmi që lufton urrejtjen ndaj emigrantëve

12/10/2016 00:00

“Desierto”, filmi që prezanton zyrtarisht Meksikën në ceremoninë e çmimeve “Oscar”, pati premierën e tij në Los Angeles, pikërisht në kohën kur në Shtetet e Bashkuara, debati i emigracionit është më i nxehtë se kurrë.

“Mendoj se është e mrekullueshme që ky film mund të jetë pjesë e diskutimeve në Amerikë. Edhe vet fakti, që ka hyrë në kategorinë e filmit më të mirë të huaj, është me rëndësi të madhe”, tha Gael Garcia Bernal.
   
“Desierto” përdor aksionin për të dërguar një mesazh therës mbi retorikat e ndezura, që hedhin farat e urrejtjes. Por regjisori Jonas Cuaron ka kërkuar në të njëjtën kohë të përcjellë përmes tij një mesazh më të gjerë mbi emigracionin.

“Kam dashur të tregoj një histori, me të cilën jam ndierë i afruar edhe vet. Është një rrëfim mbi emigracionin, por edhe një alegori e rrugës që do të marrim si shoqëri, nëse vazhdojmë promovimin e urrejtjes ndaj emigrantëve dhe të huajve në përgjithësi”, tha Jonas Cuaron, regjisor.

Në film, Moisiu, personazhi i interpretuar nga Garcia Bernal, përballet me mishërimin e kësaj urrejtjeje te polici Sam, i cili nis të shfarosë një grup njerëzish që tentojnë kalimin e kufirit. Fati nuk është me emigrantët, që zbulojnë shumë shpejt se nuk kanë ku të fshihen nga vrasësi i pamërshirshëm.

Në kinemate amerikane, “Desierto” do të shfaqet në datën 14 tetor.

Top Channel