Jemen, Pentagoni mund të hakmerret për raketat ndaj “USS Mason”

11/10/2016 00:00

Pentagoni ka paralajmëruar këtë të martë se, kushdo që ka lëshuar raketa në drejtim të anijes së Marinës amerikane “USS Mason” nga brigjet e Jemenit përgjatë fundjavës, e ka bërë këtë “nën përgjegjësinë e tij”, një gjuhë që nënkupton edhe përgatitjet për një hakmarrje të mundshme.

Dy raketa të nisura nga brigjet jemenase, që sipas zyrtarëve amerikanë kishin për objektiv goditjen e anijeve në det, u lëshuan të dielën me drejtim anijen “USS Mason”, një “destroyer” shoqërues i anijeve të tjera, nga territoret e kontrolluara prej rebelëve Houthi, ekzaktësisht në veri të ngushticës Bab al-Mandab.

Të dyja ato nuk arritën të godisnin ndonjë anije, por sulmi mund të përshkallëzojë përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Jemen. Veprimet ushtarake amerikane në këtë vend kanë qenë kryesisht të rezervuara në luftën kundër degës së lidhur me al-Qaedën, “al-Qaeda në Gadishullin Arabik”, e jo ndaj rebelëve Houthi.

“Kushdo që e ka ndërmarrë këtë veprim, pikërisht goditjen e anijeve të Marinës që operojnë në ujëra ndërkombëtarë, e ka bërë këtë duke marrë riskun përsipër”, tha zëdhënësi i Pentagonit, kapiten Jeff Davis. I pyetur nëse Pentagoni ka hartuar objektiva për sulme hakmarrëse, ai u shpreh se “nuk do ta konfirmonte këtë gjë në këtë moment”.

Mbështetja e SHBA-ve ndaj koalicionit të udhëhequr prej Arabisë Saudite në luftën kundër rebelëve Houthi është reduktuar muajt e fundit, ndërsa do të rishikohet për shkak të shqetësimeve në rritje për civilët e vrarë në luftën e Jemenit. Këtu përfshihet edhe furnizimi i avionëve sauditë, që ndërmarrin sulmet ajrore.

Rebelët Houthi, aleatë të Iranit që kanë rrëzuar nga pushteti presidentin e mbështetur nga Arabia dhe Perëndimi, Abd Rabbu Mansour al-Hadi, duke e nxjerrë atë nga kryeqyteti në vitin 2014, kanë mohuar të kenë qëlluar ndaj “destroyer”-it amerikan “USS Mason”, apo edhe ndaj “USS Ponce”, një tjetër anije transportuese.

Top Channel