Kaçe besnik deri në fund: Nuk largohem nga Kombëtarja. Shqipëria mbi të gjitha!

11/10/2016 00:00

Ergys Kaçe ka përgënjeshtruar lajmin që ka qarkulluar në disa media, ku thuhej se ai ishte larguar nga Kombëtarja për shkak të mospërputhjeve me trajnerin Gianni De Biasi.

Përmes faqes zyrtare të FSHF-së, Kaçe hedh poshtë këto lajme si aspak të vërteta.

Pyetje: Përshëndetje Ergys. Në disa media në Shqipëri, është aluduar për një largim tuajin nga skuadra kombëtare e Shqipërisë. Sa vërtetë është kjo?

Ergys Kaçe: Paraprakisht mund të them se këtu s’ka asgjë të vërtetë. Kurrë nuk kam menduar këtë gjë, e jo më ta deklaroj. Unë e dua Shqipërinë dhe jam krenar për atë që kam dhënë për kombëtaren shqiptare të futbollit. Do të vazhdoj të jap kontributin tim maksimal, në çdo ndeshje, duke treguar vlerat e mia, të cilat si gjithmonë do ti vë në shërbimi të skuadrës.

Pyetje: Ka ndodhur gjë mes jush dhe trajnerit De Biasi?

Ergys Kaçe: Asgjë e veçantë, për të tërhequr vëmendje kaq të madhe. Do ta konsideroja një komunikim normal mes një futbollisti dhe trajnerit të tij. Unë e respektoj shumë trajnerin dhe zgjedhjet e tij. Jam formuar si futbollist profesionist dhe e di shumë mirë që zgjedhjet e janë të tijat. Për këtë arsye, nuk e kapërcej kurrë kufirin në këtë raport. Është profesionale të mendosh dhe veprosh kështu. Patjetër që unë dua të luaj të aktivizohem sa më shumë. Ky nuk është ndonjë sekret. Kjo është dëshirë e çdo futbollisti. E di që vetëm me punë, do ti arrij ato që kam dëshirë të prek në karrierë. Dhe këtë kam vendosur të bëj. Të punoj më shumë, për të treguar sa vlej. Nuk komentoj më gjatë.

Pyetje: Media të veçanta kanë aluduar se ka qenë Presidenti Duka ai që ju ka bindur të ktheheni. Keni një përgjigje për këtë?

Ergys Kaçe: Presidenti Duka qëndron gjithmonë shumë pranë skuadrës. Ai komunikon drejtëpërdrejtë me trajnerin, stafin, futbollistët. Në një farë mënyre është njëri prej nesh dhe shpesh flasim me të, për të gjitha problemet tona si në klub ashtu edhe në skuadër. Kështu ka ndodhur në dy ndeshjet e fundit në Lihtenshtejn dhe në Shkodër. Po është e vërtetë që kam folur me të dhe kam dëgjuar këshillat e tij. Por kurrë nuk kemi folur për largimin tim apo gjëra të tilla.

Pyetje: Si e shikon Kaçe të ardhmen?

Ergys Kaçe: Unë jam profesionist. Punoj, mendoj dhe jetoj si i tillë. E di që vetëm me punën dhe këmbënguljen time do të, arrij ti bind të gjithë, për vlerat e mia. Jam përkushtuar për të dhënë më të mirën si në klub ashtu edhe në skuadrën kombëtare të Shqipërisë

Top Channel