Shaqiri kthim në Itali! Roma i rihap dyert e Serie A

11/10/2016 00:00

Xherdan Shaqiri mund të kthehet në Serinë A. Roma është skuadra që po mendon t’i rihapë futbollistit të përfaqësueses zvicerane dyert e kampionatit italian. Trajneri Luciano Spalleti e konsideron Xherdan Shaqirin si një alternativë më shumë për repartin e sulmit duke parë se në janar nuk do të ketë Mohamed Salah, i cili do të luajë në Kupën e Afrikës, ndërkohë që ka humbur besimin edhe te Iturbe.

Vëllai dhe njëkohësisht agjenti i Shaqirit, Erdin në një intervistë për Corriere Dello Sport ka deklaruar se për momentin Xherdani është i fokusuar te Stoke City, por ai nuk e përjashtoi mundësinë e kalimit te Roma.

Këtë sezon, Stoke City ka grumbulluar vetëm 3 pikë dhe gjendet në vendin e parafundit në Premier League. Skuadra angleze pagoi 17 milionë euro për blerjen e Shaqirit, por nëse situata nuk ndryshon atëherë futbollisti mund të kërkojë largimin nga skuadra. Nëse kjo do të ndodhë atëherë Roma do të nisë menjëherë ofensivën e saj për ta marrë Shaqirin në formë huazimi me të drejtë ose detyrim blerjeje në fund të sezonit.

Top Channel