Rama-maturantëve: Ndiqni raundin e dytë, gjithçka në dorën tuaj

11/10/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë një mesazh mëngjesin e sotëm maturantëve shqiptarë, përmes një statusi në profilin e tij në Facebook.

“Të dashur maturantë, sistemi i regjistrimeve në universitete është, për herë të parë pas 25 vjetësh, i gjithi në duart tuaja! Konkurrenca dhe merita janë më në fund dhe në transparencë të plotë përpara syve tuaj! Urime e suksese të gjithëve ndër ju që tanimë e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe janë regjistruar, ndërkohë që të tjerët mund të ndjekin në kohë reale zhvillimet për çdo degë, për të përmbushur synimin e tyre”, ka thënë Rama.

Duke iu drejtuar të rinjve, ai ka theksuar se, “deri dje të gjitha këto zhvillime ndodhnin larg syve dhe kontrollit tuaj, në errësirë të plotë, në dëm të konkurencës e të meritës”.

“Sot ju jeni dëshmitarët e parë të një ndryshimi epokal. Miku, fisi, partia, leku apo shansi qorr nuk kanë më asnjë fuqi mbi fatin tuaj në këtë proces. Atë e keni në dorë ju! Me vemendje e durim ndiqni zhvillimet e raundit të dytë. Mbarësi e suksese!”, ka shtuar Rama në mesazhin e tij.

Top Channel