Shqipëri-Spanjë, ja rrugët që do të bllokohen

08/10/2016 00:00

Policia e Shkodrës ka publikuar planin e masave për ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2018 mes Shqipërisë e Spanjës që do të luhet të dielën në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, policia informon qytetarët e Shkodrës dhe tifozeritë që do të udhëtojnë nga rrethet e tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe vendet e tjera të Europës, që do të ndjekin ndeshjen, për mbarëvajtjen normale të aktivitetit sportiv, do të marrë disa masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të.

Kështu, për lëvizjen e automjeteve dhe parkimin e tyre do të përdoret Unaza e Qytetit Shkodër, si nga krahu lindor ashtu edhe nga krahu perëndimor, rrugë e cila do të orientohet dhe monitorohet nga shërbime policore.

Për parkim të automjeteve në qytetin e Shkodrës do të përdoren këto vende: Sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish-Ndërmarrja e Fermentimit; Gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale “Arben Broci”; Sheshi tek stacioni i trenit të udhëtarëve dhe sheshi dhe rruga tek “Fusha e Druve” në unazën lindore.

Nga ora 08:00, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, si dhe do të bëhet largimi i automjeteve të parkuara në këto akse rrugore:

Në rrugën “Bujar Bishanaku”, (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 08:00, së të dielës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe nga ora 12:00 do të ketë ndalim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00.

Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve tek unaza perëndimore,duke filluar nga Rr. “Bajram Curri” deri te Rr. “Ibrahim Rugova”si dhe në rrugën “Muhamet Dibra” deri te parkimi i stadiumit.

Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se rruga “Bujar Bishanaku”, do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozave vendas dhe të huaj.

Po ashtu, në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (ose sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00.

Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “B. Bishanaku” dhe anasjelltas, nga ora 10:00 deri në ora 24:00. Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish poligonit të qitjes) nga ora 10:00 deri në orën 24:00. Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perime në Zdrale nga ora 10:00 deri në orën 24:00.

Gjithashtu, do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore: Xhabije – Parrucë, Sheshi 2 Prilli – Parrucë, Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë, Kryqëzimi i Rusit – Ish-5-Heronjtë.

Hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë nga ora 17:00, ndërsa janë të lutur që të jenë të paijisur me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të, sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.

Po ashtu, policia kërkon nga të gjitha bizneset që zhvillojnë aktivitet tregëtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të tregohen mirëkuptues duke i mbyllur aktivitetet në orën 14:00.

Top Channel