Britani, “kryetari” i UKIP rrihet me grushta nga kolegu

06/10/2016 00:00

Steven Woolfe, ligjvënësi i “UKIP”-it që shpreson të marrë drejtimin e partisë së zhytur në kaos, përfundoi në spital pas grushtave të një kolegu.

49-vjeçari u shemb përdhe në korridorin e ndërtesës së Parlamentit Europian në Strasburg, pas përleshjes me një tjetër politikan të “UKIP”-it. Goditja e marrë në fytyrë bëri që Woolfe, baba i 3 fëmijëve, të përplaste kokën me një objekt metalik, ndoshta korniza e një dritareje.

Sherri u mbyll aty, por 30 minuta më vonë deputeti është ndierë keq e është rrëzuar në tokë. Verifikimet e para mjekësore treguan se ka përjetuar dy goditje të vogla epileptike, por nuk ka shenja të një hemorragjie cerebrale.

Vet Woolfe nxori një deklaratë nga spitali, ku sqaronte se ekzaminimi me skaner tregon që nuk ka mpiksje gjaku në tru. Ai duket se e konsideron incidentin të kapërcyer, e thotë se për momentin ndihet shumë mirë.

Mediat britanike shkruajnë se grindja erdhi si pasojë e faktit që Woolfe e kishte pranuar se ka marrë në konsideratë mundësinë e kalimit te konservatorët, pasi drejtimi i ri i Theresa Mayt e ka entuziasmuar shumë.

Edhe thjesht ideja e diskutimit me “Tory”-t është parë si tradhti nga disa prej ligjvënësve, të cilët u acaruan shumë, pohojnë burimet në fjalë.

Ish-udhëheqësi i “UKIP”-it, Nigel Farage është shprehur se mund të kthehet përkohësisht në krye të partisë deri në mbajtjen e zgjedhjeve që do të përcaktojnë pasardhësin e Diane James, e cila dha dorëheqjen vetëm 18 ditë pas marrjes së postit, duke cituar për këtë vendim të sajin arsyet profesionale dhe personale.

Top Channel