Drejt fundit “Adopto një kopsht”, projekti do të vijojë me shkollat

05/10/2016 00:00

Pas përfundimit të projektit “Adapto një kopsht”, nisma do të vijojë edhe në shkolla. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ka përfunduar rikonstuksioni si në infrastrukturë dhe në shërbim i 23 kopshteve dhe çerdheve që kishte premtuar.

“Ishte një projekt fantastik! Në fillim të gjithë ishin skeptikë, duke thënë se kjo s’mund të ndodhë, në Shqipëri nuk jep askush, as prindërit, as biznesi, as komuniteti. Kemi provuar që e kishin gabim. Në Tiranë ka shumë solidaritet, sidomos mes prindërve. Duke parë se bashkia po mobilizon energji edhe nga sipërmarrja, prindërit janë ofruar me aq sa kanë pasur mundësi, me mobilje, me perde, dyer e dritare, por dua t’i falenderoj sepse në thelb, komuniteti përcaktohet nga mënyra se si bashkëpunojmë me njeri-tjetrin për cilësinë e së ardhmes, që është e fëmijëve të këtij qyteti”, tha Veliaj.

Ai theksoi se me përfundimin e procesit të rikonstruksioneve të kopshteve do të vijojë puna me të gjitha shkollat, si ato të rejat që do ndërtohen nga fillimi, ashtu edhe me rikonstruksionin e shkollave ekzistuese.

Top Channel