“Eskamilio” shqiptar; Gëzim Myshketa hap sezonin operistik të Berlinit

03/10/2016 00:00

Baritoni shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Gëzim Myshketa ka çelur sezonin operistik 2016-2017 duke u duartrokitur nga artdashësit berlinez. Ai ka performuar në Teatrin më të madh të kryeqytetit gjerman “Deutsche Oper Berlin” mbrëmjen e së dielës.

Myshketa interpretoi rolin e Escamillos, toreros spanjoll në operën “Carmen” të Georges Bizet, bazuar në libretin e shkruar nga Henri Meilhac dhe Ludovik Halèvy. Këtë rol ai e ka interpretuar me sukses edhe herë të tjera në Kore, Berlin, Athinë dhe në disa teatro të Italisë.

Ndërkohë, kjo premierë në Operën e Berlinit është mbajtur për herë të parë më 11 maj të vitit 1979.

“Është me të vërtetë krenari të dëgjosh një zë shqiptar në një skenë të famshme të Berlinit, në një skenë europiane”, u shpreh Artur Kuko, ambasador i Shqipërisë në Gjermani.

Stina lirike në vijim do ta gjejë baritonin shqiptar të impenjuar në Paris, Seul, Anversë dhe Gent të Belgjikës, në Tuluzë, Napoli etj.

Top Channel