Asambleja e PS, Rama: Do rritim pagat dhe pensionet, s’do ketë rritje taksash

01/10/2016 00:00

“Ajo që u duhet qytetarëve të dëgjojnë prej nesh është se, në radhë të parë, nuk do të ketë më rritje taksash”.

Ky nuk ishte i vetmi premtim që kryeministri Rama bëri në Asamblenë e Partisë Socialiste.

Vitin e ardhshëm parashikohet rritja e parë e pagave të buxhetorëve. Niveli i rritjes së pagave dhe pensioneve nuk është përcaktuar ende, por kryeministri  është i sigurt për diçka tjetër të rëndësishme.

“Mund të them pa asnjë dyshim se ne do t’i rrisim pagat më shumë se sa i ka rritur qeveria paraardhëse në çdo vit të sajën. Asnjë qeveri në 25 vjet nuk ka ndarë në fund të një llogaria vjetore 100 milionë dollarë për njerëzit, në formë rritje rrogash dhe rritje pensionesh”, tha Edi Rama.

Kryeministri foli për një rritje ekonomike prej 3 përqind këtë vit, por, sipas tij, reformat e vështira këto tre vjet janë vetëm baza për të ardhmen.

“Ambicia jonë është një rritje ekonomike që në harkun e mandatit të ardhshëm të kapërcejë 5 përqind, në mënyrë që ndikimi në familje të jetë më se i ndjeshëm”, u shpreh kryeministri.

Top Channel