Siri, Rusia refuzon thirrjen e SHBA-ve: Do të vijojmë bombardimet mbi Aleppo

29/09/2016 00:00

Pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara për të ndalur bombardimet, Rusia ka bërë të ditur se do të vijojë me aksionet e saj në zonën lindore të Aleppos të kontrolluar prej rebelëve.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë gjatë kësaj të enjteje se Forcat Ajrore ruse do të vazhdojnë mbështetjen e tyre ndaj Forcave të Armatosura siriane. Ai kërkoi gjithashtu nga Uashingtoni që të ofrojë angazhimin e tij për ndarjen e luftëtarëve të moderuar të opozitës siriane nga “terroristët”.

Ky zhvillim vjen vetëm pak pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se do t’u jepnin fund bisedimeve mbi bashkëpunimin ushtarak me Moskën, për sa kohë që kjo e fundit nuk ndalon bombardimet. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby tha të mërkurën se Rusia ka gjithashtu interes që të ndalë dhunën në Siri. Ai tha se konflikti u jep një mundësi ekstremistëve të “shfrytëzojnë boshllëqet” në rajon dhe të nisin sulme “ndaj interesave ruse, madje edhe në qytetet ruse”.

Marrëveshja e fundit për armëpushim kishte për qëllim që të mundësonte sulme të përbashkëta ajrore mes SHBA-ve dhe Rusisë ndaj objektivave të të ashtuquajturit Shtet Islamik, por edhe ndaj Jabhat Fateh al-Sham, dikur i njohur si Fronti al-Nusra.

Gjithsesi, Rusia është ankuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë mjaftueshëm për të veçuar grupet e moderuara të rebelëve, që mbështetet nga Uashingtoni, nga militantët e Jabhat Fateh al-Sham. Shumë prej këtyre grupeve kanë formuar aleanca strategjike me degën më të fuqishme që pason al-Nusrën, duke luftuar krah për krah tyre.

Pavarësisht tensioneve në rritje mes dy kombeve, Peskov tha se Rusia vijon të jetë e interesuar në nxitjen e bisedimeve me SHBA-të, për të pasur një tjetër përpjekje për zgjidhjen e krizës në Siri. Komentet e tij i bëjnë jehonë një deklarate nga Moska, ku këmbëngulej se kjo e fundit do të dërgonte diplomatët në Gjenevë për të diskutuar mënyrat për normalizimin e situatës me SHBA-të.

Zv.sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të enjten se agjencitë kombëtare të sigurisë janë duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për t’i dhënë fund luftës civile siriane. Ai shtoi se Presidenti Barack Obama u ka kërkuar “të gjitha agjencive të avancojnë opsionet, disa prej të cilave tepër familjare ndërsa të tjera janë të reja, të cilat ne po i shqyrtojmë që të gjitha”.

“Kur të mundemi të punojmë me këto alternativa në ditët në vijim, do të kemi gjithashtu një mundësi për të ardhur sërish këtu e për të folur në detaje mbi to”, tha ai.

Të mërkurën, Sekretari John Kerry paralajmëroi se Uashingtoni do t’i jepte fund bisedimeve, për sa kohë që Moska nuk ndal bombardimet mbi Aleppo. Ndërkohë, Turqia ka bërë të ditur se do të punojë me Rusinë për të siguruar një tjetër armëpushim, pas mosrespektimit të atij të arritur së fundi.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu u tha reporterëve në Ankara se “ne jemi më shumë sesa të gatshëm”, por theksoi se kombet duhet të përpiqen më shumë për të gjetur një zgjidhje politike, në mënyrë që një marrëveshje e mundshme të rezultojë efektive.

Top Channel