SHBA, të paktën një i vdekur nga përplasja e trenit në stacion. Mbi 100 të plagosur

29/09/2016 00:00

Të paktën një person ka ndërruar jetë dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur, disa prej të cilëve në gjendje kritike, teksa një tren pasagjerësh u përplas në stacionin “Hoboken” të Nju Xhersit në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Bilanci, gjithsesi, pritet të rëndohet.

Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie tha për CNN se një person ka vdekur gjatë përplasjes, të shënuar në një prej zonave tranzit më të rënduara të Nju Jork Sitit.

“MSNBC” raportoi për 3 viktima, duke cituar burime të qendrës mjekësore rajonale në Newark, si dhe qendrën mjekësore “Jersey City”. Mediat ndërkombëtare nuk mund ta konfirmojnë në mënyrë të pavarur, përkohësisht, numrin e saktë të të vdekurve.

Imazhe dramatike janë postuar nga pasagjerët e trenit nëpër mediat sociale, të cilat tregojnë se pjesa e përparme e trenit është përplasur drejtpërdrejtë me turmën e njerëzve në stacion, me një shpejtësi të lartë, duke shembur edhe një pjesë të çatisë, shpërndarë mbetjet, e duke shkaktuar një katrahurë të vërtetë.

Të plagosurit janë dërguar me barrela nëpër autoambulancat e gjendura në vendngjarje brenda një kohe tepër të shkurtër, ndërsa rreth 200 punonjës emergjencash shihen teksa hyjnë e dalin nga stacioni. Dhjetëra varka të policisë janë afruar pranë lumit Hudson përgjatë terminalit.

Një zëdhënëse e operatorit hekurudhor “New Jersey Transit”, Jennifer Nelson tha se mbi 100 persona janë plagosur, shumë prej të cilëve në gjendje të rëndë. Sipas dëshmitarëve, shumë pasagjerë mbetën të bllokuar nën rrënoja, por më pas u liruan nga ekipet e ndihmës së shpejtë.

“Fox News” bëri të ditur se inxhinieri, ose makinisti i trenit, u desh të nxirrej nga një xham i përparëm. Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi përplasjen. Hetues federalë kanë shkuar në vendngjarje. Christie tha për “CNN” se ende nuk ka asnjë të dhënë nëse ka qenë ndonjë gjë tjetër, përveçse një aksident.

“Hoboken” gjendet në brigjet perëndimore të lumit Hudson. Stacioni përdoret nga shumë pasagjerë që udhëtojnë drejt Manhattanit nga Nju Xhersi, apo mbrapsht.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel