Rrëzimi i MH17, Australia kërkon drejtësi; Rusët: Faktet nuk përkojnë

29/09/2016 00:00

Kryeministri i Australisë Malcom Turnbull kërkon drejtësi për viktimat e MH17-tës. Një ditë pasi ekipi i hetuesve ndërkombëtarë të kryesuar nga holandezët deklaroi se raketa që rrezoi avionin e Malaysia Airlines mbi Ukrainë korrikun e 2014-tës vinte nga Rusia, Turnbull deklaroi se nuk do të reshtë së këmbënguluri në nxjerrjen e personave përgjegjës para drejtësisë.

Nuk e bëj këtë vetëm për 38 australianët në bord, por për të gjithë viktimat e tragjedisë, u shpreh ai.

“Kriminelët, vrasësit që e bënë këtë duhet të ulen në bankën e të akuzuarve. pavarësisht moshës së tyre apo kombësisë, secila prej jetëve të humbura prej asaj rakete të sjellë nga Rusia e të lëshuar me dijeninë e plotë të Rusisë, thërret për drejtësi, e ne do të jemi të palodhur derisa të sigurohemi që drejtësia do të vihet në vend”, deklaroi kryeministri australian Malcom Turnbull.

Hetuesit holandezë njoftuan të mërkurën se ka prova bindëse që territori nga u lëshua raketa BUK kontrollohej prej luftëtarëve pro-rusë. Moska i ka mohuar vazhdimisht të tilla akuza e duke cituar të dhënat e radarëve, pretendon se asnjë raketë nuk është lëshuar nga territori i kontrolluar prej forcave separatiste në Ukrainë.

Në një deklaratë të ambasadës ruse në Shqipëri thuhet se dëmet e avionit që përmend raporti holandez nuk përkojnë me dëmet reale të Boing-ut, ndërsa hetuesit sipas këshilltarit të shefit të dizajnit të Almaz-Antey, Mikhail Malyshevsky, nuk kanë marrë parasysh tre fragmente të copëtuara të trupit të avionit.

Top Channel