Kumbaro: Teatri, një godinë mediokre

29/09/2016 00:00

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, duke iu referuar godinës së Teatrit Kombëtar, deklaroi se nuk do të shpenzojë asnjë fond publik për restaurimin e një godine të mbaruar. E ftuar në programin e mëngjesit “Wake Up” në “Top Channel”, ajo e quajti atë një godinë mediokre, që nuk ka asnjë vlerë estetike dhe arkitektonike.

“Teatri Kombëtar me atë lloj teknologjie që është bërë nga ushtria italiane në vitet ’40, është një model që u ndërtua në të gjitha vendet e pushtuara nga Musolini; si ndërtesa argëtimi për ushtarët, me materiale që ishin projektuar për të jetuar jo më shumë se 15 vite. Sot që flasim, në vendet e pushtuara dikur nga Italia fashiste, këto ndërtesa nuk ekzistojnë më. Është e pamundur që asaj ndërtese t’i bëhet restaurim. Ajo ndërtesë është amortizuar kaq shumë! Të gjitha raportet teknike thonë se do të kushtonte shumë më tepër restaurimi se sa ndërtimi i një teatri të ri. Unë si Ministre nuk do të pranoja kurrë që fondet publike të hidhen në një gropë të zezë, siç është tashmë ajo godinë e mbaruar”,- tha Kumbaro.

Tashmë shembja e godinës së Teatrit Kombëtar është thjesht çështje kohe derisa Kumbaro shkoi edhe më tej në deklaratat e saj. E pyetur nëse ndërtesa do të ngrihet në formën që është apo si një skenë teatri brenda një kulle shumëkatëshe, Kumbaro u shpreh: “Unë nuk shoh arsye që ajo të ndërtohet në atë formë që është. Nëse doni mendimin tim personal, ajo nuk është ndonjë godinë që të lë pa frymë. Vlerën e ka në atë se çfarë ka ndodhur brenda; në historinë, tek ikonat e teatrit që i kanë dhënë shpirtin asaj godine. Sikur t’i heqim gjithçka mbart brenda, ajo është një godinë mëse mediokre”!

Në ditën Kombëtare të Trashëgimisë, në Muzeun Historik Kombëtar, mes shumë aktivitetesh të organizuara nga Ministria e Kulturës ishte dhe ekspozita e titulluar “Thesare të shpëtuara”, me ikonat e sekuestruara nga koleksionisti Gjergji Thimio, tashmë me status ‘pronësi shtetërore’. E pyetur me këtë rast nëse disa prej objekteve të këtij koleksioni ndodhen në pronësi të ish-deputetit Koço Kokëdhima (siç edhe është publikuar këto ditë në media), Kumbaro në përgjigjen e saj la vend për intepretime dhe nënkuptime.

“Ajo që unë mund të them është se 476 objekte ka qenë numri i deklaruar nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe nga Komisioni që ka bërë procesverbalin dhe që më është dorëzuar që në javën e parë të marrjes në dorëzim nga policia të këtij koleksioni, me cilësinë e provës materiale, për sa kohë ishin në proces hetimor, gjyqësor e kështu me radhë. Për gjithë atë periudhë, materialet kanë qenë të paprekura dhe të ruajtura nga policia, ku askush nuk kishte të drejtë të hynte. Dhe po kaq është numri i objekteve të zhvendosura nga Galeria Kombëtare e Arteve për në Muzeun Historik Kombëtar. I gjithë koleksioni ndodhet sot në fondin e Muzeut Kombëtar. Kështu që unë i referohem çfarë kemi marrë në dorëzim dhe çfarë kemi sot në pronësi”,- përfundoi Kumbaro.

Top Channel