Korrupsioni në Angli, pezullohet zv/trajneri i Barnsley

29/09/2016 00:00

Skandali i marrjeve të ryshfeteve në Angli ku u përfshi Sam Allardyce ka bërë një tjetër viktimë dhe  bëhet fjalë për Tommy Wright, zëvendëstrajnerin e Barnsley, që është pjesë e Divizionit të Dytë të kampionatit anglez. Drejtuesit e këtij klubi vendosën që ta pezullojnë nga detyra Tommy Wright duke deklaruar se do të ekzaminojnë këtë përfshirje të zëvendëstrajnerit në këtë skandal.

Por historia e korrupsionit nuk ndalet këtu. “Daily Telegraph” publikon emra të tjerë të përfshirë në këtë skandal, ku të bie në sy emri i ish-futbollistit dhe trajnerit të Queens Park Rangers, Jimmy Floyd Hasselbaink me holandezin që së bashku me Tommy Wright e kanë mohuar përfshirjen e tyre në këto afera korruptive.

“Daily Telegraph” bën të ditur se në një video sekrete Wright shfaqej duke marrë 5000 Paund ryshfet në këmbim të ndihmës për sipërmarrësit e rremë nga Lindja e Largët që kërkonin përfitime nga transferimi i futbollistëve

Kjo e përditshme publikoi gjithashtu edhe një video të Hasselbaink që arriti një akord për përfaqësimin e së njëjtës kompani nga Lindja e Largët kundrejt një pagese prej 55 mijë Paund. Edhe në rastin e Hasselbaink ka ardhur reagimi i Queens Park Rangers drejtuesit e të cilit bënë të ditur se do të bënin hetimet e tyre të brendshme, por shtuan se kanë besim te trajneri i tyre.

Skandali nuk kufizohet vetëm te trajnerët. ‘Daily Telegraph’ zbuloi se i përfshirë ne te është padroni i Leeds, italiani Massimo Cellino, i cili u filmua duke u propozuar sipërmarrësve të rremë shitjen e një kuote aksionesh të Leeds, diçka që klubi e ka mohuar nëpërmjet një komunikate.

Top Channel