Hetimet për magazinën në Ishëm, ndalohet transportuesi i punëtorëve të hashashit

25/09/2016 00:00

Një tjetër person është arrestuar nga Policia e Durrësit lidhur me magazinën e zbuluar në fshatin Ishëm pak ditë më parë, ku u sekuestruan 300 kg kanabis sativa. Blutë e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se kanë vënë në pranga 25-vjeçarin Ervis Dama, i cili me furgonin e tij kryente rolin e transportuesit të punëtorëve të kësaj magazine.

Në momentin e zbulimit, policia shpalli në kërkim pronarin e banesës, ndërsa një 32-vjeçar nga Hamallaj u vu në pranga, pasi u kap teksa me një mjet tip furgon po transportonte 13 punëtorë, të cilët merreshin me pastrimin dhe tharjen e kanabisit.

Sipas informacioneve të para, distanca nga banesa e përshtatur për përpunimin e lëndës narkotike me vendin ku u ul aeroplani i Guido Guidit, mund të përshkohet me automjet për rreth 30 minuta. Nga ana e saj, policia është duke vijuar ende hetimet për të zbuluar nëse magazina në fjalë kishte apo jo lidhje me uljen e aeroplanit.

Top Channel