Egjipt, shkon në 108 numri i viktimave nga përmbytja e varkës me emigrantë

23/09/2016 00:00

Numri i trupave të pajetë të gjetur pas përmbytjes së një mjeti të papërshtatshëm për lundrim në brigjet egjiptiane ditën e mërkurë ka shkuar në 108, ndërsa pritet të rritet edhe më tej.

Autoritetet egjiptiane thonë se 64 viktima u regjistruan vetëm këtë të premte, teksa ekipet e kërkimit kontrolluan zonën përreth incidentit tragjik.

Varka apo gomonja në fjalë mbante në bord nga 450 deri në 600 emigrantë, kur për shkak të mbingarkesës u përmbys rreth 8 milje (12 km) larg qytetit portual të Rosettës. Me të po transportoheshin egjiptianë, sirianë, sudanezë, eritreas dhe somalezë.

Autoritet thonë se të paktën 163 persona janë shpëtuar, por të mbijetuarit i kanë thënë BBC-së se qindra të tjerë mund të jenë të mbytur. Duke folur për korrespondentën e BBC-së në Egjipt, të mbijetuarit thonë se trafikantët i kishin detyruar emigrantët që donin të siguronin nga një jelek shpëtimi të paguanin një shumë shtesë për udhëtimin.

Për këtë ngjarje tragjike janë arrestuar 4 pjesëtarët e ekuipazhit, me dyshimet për “vrasje pa paramendim” dhe “trafikim të qenieve njerëzore”, thonë zyrtarë egjiptianë.

Mjeti lundrues, që u mbajt në brigjet e qytetit egjiptian për 5 ditë derisa të tejmbushej, thuhet se u mbyt pasi mbi të u ngjitën edhe 150 personat e fundit.

Incidenti tragjik vjen në një kohë kur agjencia ndërkufitare e BE-së paralajmëroi se një numër gjithnjë e në rritje i emigrantëve, që kërkojnë të mbërrijnë në brigjet europiane, janë duke përdorur Egjiptin si një pikënisjeje.

Më shumë se 10 mijë njerëz kanë humbur jetët në përpjekje për të kaluar Mesdheun drejt Europës që prej vitit 2014, sipas raportit të OKB-së.

Top Channel