Ndryshime në Tatime e Dogana, në krye dy ish-drejtore në Bashkinë e Ramës

23/09/2016 00:00

Dy dorëheqje, të dyja në të njëjtën ditë. Ky është versioni zyrtar i ndryshimeve në majën e dy prej agjencive më të rëndësishme shtetërore, Drejtorisë së Tatimeve dhe asaj të Doganave.

Briseida Shehaj dhe Pranvera Fagu janë larguar respektivisht nga drejtimi i Tatimeve dhe Doganave, për t’ia lënë vendin dy emrave të tjerë, që i bashkon e shkuara: puna me Edi Ramën në kohën që ai drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Vasilika Vjero, e cila deri tani ka mbajtur postin e drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Biznesit, shkon në krye të Tatimeve. Ndërsa Bela Ikonomi, bashkëpuntore e ngushtë e kryeministrit si ish-drejtoreshë e Taksave në Bashkinë e Tiranës, shkon në krye të Doganave.

Por edhe dy drejtoreshat e larguara emërohen në detyra të reja. Briseida Shehaj shkon në postin e zëvendësministres së Ekonomisë, ndërsa Pranvera Fagu nga Dogant zëvendëson Vasilika Vjeron në postin e kreut të QKB-së.

Kjo është hera e parë kur të dy krerët e agjencive të fiskut largohen brenda një ore. Pranvera Fagu mbajti një profil të ulët pak më shumë se një vit në krye të Doganave.

Asaj iu desh të përballej me një situatë delikate në këtë institucion, që kulmoi në fillim të këtij viti, kur kryeministri Rama shkarkoi thuajse të gjithë drejtorët rajonalë të doganave.

Krejt tjetër ishte karriera e Briseida Shehajt. Ajo drejtoi Tatimet që prej ditës së parë që maxhoranca e majtë erdhi në pushtet. E vlerësuar haptazi nga kryeministri, por po aq e sulmuar nga kundërshtaret politikë, ajo dukej thuajse e paprekshme.

Por gjatë vitit të fundit kritikat publike të FMN-së për arbitraritet në administratën tatimore, por edhe ardhja e Arben Ahmetajt në krye të Financave, e bashke me të, edhe një klimë miqësore mes Tatimeve dhe biznesit, kishin zbehur rolin e saj aktiv në publik, i cili e kishte kthyer edhe personazh të spektaklit më të madh variete në vend.

Megjithëse askush nuk do ta pranojë, ky duket të jetë edhe problemi i Shehajt. Problem që mori zgjidhje të premten, me zevëndësimin e saj.

Top Channel