SHBA, dhunë në Sharlot, shpallet gjendja e emergjencës

22/09/2016 00:00

Guvernatori i Karolinës Veriore shpalli gjendjen e emergjencës ne qytetin e Sharlot për shkak të trazirave mbi vrasjen e një personi me ngjyre nga policia.

Dhuna shpërtheu për të dytën natë radhazi, me protestuesit që u përleshën me policinë, thyen xhama dhe u vunë zjarrin disa objekte.

Rasti i Keith Lamont Scott që u qëllua për vdekje nga një polic gjithashtu me ngjyrë, ishte i treti në një javë, çka nxiti edhe protesta masive. Manifestimi nisi qetësisht, por shumë shpejt u dëgjuan krismat e një arme dhe një person mbeti i plagosur.

Protestuesit hodhën shishe dhe fishekzjarrë ndaj efektive, duke plagosur 4 prej tyre ndërsa policia reagoi duke lëshuar gaz lotjsjellës kundër turmës së zemëruar. Pre e sulmeve u bënë edhe disa gazetarë.

Më herët guvernatori i Karolinës Veriore, Pat Mc Cory bëri të ditur se kishte nisur përpjekjet për të mobilizuar gardën kombëtare e për të patrulluar autostradën derisa të qetësohet situata.

“Nuk do të tolerojmë aktet e dhunës drejtuar qytetarëve dhe policëve tanë apo shkatërrimin pronës”, ishin fjalët e tij.

Në një vend ky tensionet mbi vrasjen e personave me ngjyrë janë të larta, benzinën zjarrit ja hodhi rasti i fundit, kur 43 vjeçari Scott u vra në rrethana ende të pasqaruara nga policia. Siç thuhet efektivët ishin në kërkim të një të dyshuari në një bllok apartamentesh, kur kishin parë Scot teksa dilte nga një makinë me armë zjarri në dorë.

Versioni i policisë është se atij i ishte kërkuar në disa raste të hidhte armën para se të qëllohej, po familja pretendon se 43-vjeçari po lexonte një libër e se po priste që djali i tij të zbriste nga autobusi i shkollës.

Pamje të xhiruara nga kamerat policore po shqyrtohen nga kryebashkiaku i Sharlotës, por siç pohojnë autoritetet ato nuk mund të bëhen publike në këtë moment.

Top Channel