Kerry: Të ulim avionët që fluturojnë mbi Siri

21/09/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara propozojnë që të gjithë avionët luftarakë të të gjitha palëve të përfshira në konfliktin sirian të ulen në zona të sigurta që të shpëtohet armëpushimi i arritur mes palëve.

Propozimi i krydiplomatit amerikan mbërrin pas sulmi ajror të së hënës ndaj një karvani me ndihma të Kombeve të Bashkuara, ku u vranë të paktën 20 civilë.

Sekretari Kerry deklaroi se sulmi në fjalë hedh dyshime të forta mbi vullnetin e Rusisë dhe qeverisë siriane për të respektuar termat e marrëveshjes së pushimit të zjarrit.

Por, pavarësisht se amerikanët janë të bindur se sulmi është ndërmarrë nga Rusia ose nga qeveria siriane e mbështetur prej Moskës, vetë kjo e fundit ka mohuar këto akuza.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaron se në kohën e sulmit një avion amerikan i telekomanduar po fluturonte në zonë. “Ai mund të ketë goditur shënjetrën në tokë”, tha gjenerali Igor Konashenkov, duke u kujdesur të sqarojë se kjo është vetëm një hipotezë.

Në fakt Rusia ka ndryshuar disa herë qëndrimet e veta zyrtare për këtë sulm, çka ka shkaktuar kritikat e Kerry-t që kërkon nga Moska të marrë përsipër përgjegjësinë e gabimit dhe të kërkojë falje për të.  

Top Channel