Sulmi ndaj autokolonës, Amerika fajëson Rusinë. OKB tërheq versionin “sulm ajror”

20/09/2016 00:00

Kombet e Bashkuara duket se u vunë në radhë gjatë së martës, teksa e përshkruan sulmin ndaj autokolonës së ndihmave në Siri si një “sulm ajror”, por u kujdesën të shtonin se ende nuk kanë prova përfundimtare që të vërtetojnë atë çfarë ndodhi në terren. E nëse vërtetohet që ka qenë sulm i qëllimshëm, ai do të përbëjë një krim lufte.

Incidenti, gjatë të cilit 18 kamionë nga autokolona prej 31 automjetesh u shkatërruan gjatë pasdites së të hënës, u konsiderua si një goditje që i dha fund armëpushimit njëjavor që ishte në fuqi. Madje solli edhe një sërë denoncimesh nga anembanë botës.

OKB-ja, Kryqi i Kuq dhe Shtetet e Bashkuara e kanë përshkruar atë si një sulm nga ajri, duke nënkuptuar hedhjen e fajit ndaj avionëve rusë apo sirianë në zonë për shkeljen e armëpushimit, duke sulmuar një objektiv humanitar.

Ndërsa Rusia, e cila mohon përfshirjen e avionëve të saj apo edhe atyre të qeverisë aleate siriane, duke bërë të ditur këtë të martë dyshimin e saj se autokolona nuk është goditur nga ajri, por janë përfshirë nga zjarri për shkak të një incidenti që mund të ketë ndodhur në vendngjarje.

“Gjysmëhëna e Kuqe” siriane njoftoi nga ana tjetër se kreu i një prej zyrave të saj lokale dhe “rreth 20 civilë” kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmit, megjithëse numri i viktimave ndryshon mes palëve raportuese.

Pas shpjegimit rus, Kombet e Bashkuara publikuan një variant të modifikuar të deklaratës së parë, duke hequr togfjalëshin “sulm ajror” dhe duke e zëvendësuar atë me togfjalëshin “sulme të papërcaktuara”.

Zëdhënësi për shtyp i çështjeve humanitare në OKB, Jens Laerke tha se referenca për sulme ajrore në deklaratën origjinale, për të cilën i ishin referuar kreut të zyrtarëve humanitarë të OKB-së në Siri, me shumë mundësi ishte pasojë e një gabimi në hartimin e deklaratës.

“Ende nuk jemi në një pozicion për të përcaktuar nëse këto ishin faktikisht sulme ajrore. Por jemi totalisht në gjendje të themi se autokolona u sulmua”, tha ai.

Uashingtoni, nga ana e tij, bën të ditur se beson ende që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e sulmeve ajrore, të cilat në çfarëdolloj rrethane mund të ndërmerreshin vetëm nga ushtria ruse apo ajo siriane.

“Kur një autokolonë me ndihma humanitare bëhet shënjestër e një sulmi ajror, kjo përbën një ngjarje vërtet të llahtarshme. Sërish e themi se nuk e dimë saktësisht çfarë ndodhi, jemi duke hetuar për këtë gjë, por mendojmë ende se ishte si pasojë e një sulmi ajror”, tha Brett McGurk, i dërguari presidencial i Shteteve të Bashkuara në koalicionin që lufton militantët e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Sulmi i së hënës detyroi Kombet e Bashkuara të pezullojnë të gjitha dërgesat e ndihmave në Siri, ndërsa kanë sjellë gjithnjë e më pranë kolapsit përpjekjet për armëpushim, për të mos folur për paqe.

Top Channel