Procesi i digjitalizimit të transmetimeve televizive tokësore ka nisur fazën e parë të tij, e cila parashikon që deri në fund të muajit tetor, qytetarët e Tiranës dhe Durrësit do të mund të shohin një cilësi më të mirë të zërit dhe figurës në kanalet ekzistuese televizive.

Procesi përfshin edhe shtim të numrit të tyre, pasi digjitalizim do të thotë më shumë frekuenca të lira, të cilat do të përdoren për qëllime telekomunikacioni duke përdorur më mirë brezin e frekuencave.

“Gjithë frekuencat që përdorin televizionet sot, janë si autostradat në tokë dhe me digjitalizimin ne përdorim më pak frekuenca. Pjesa që mbetet do të përdoret për ndërtimin e rrjeteve të teknologjisë së lartë si 4G apo 5G në të ardhmen. Kjo do të thotë qindra-miliona euro investime dhe vende të reja pune. Pra është një e mirë e madhe publike”, thotë Erald Kapri, anëtar i Këshillit të Ankesave në Autoritetin e Mediave Audiovizive.

Digjitalizimi do të ndajë kanalet televizive sipas tematikave, duke i kthyer ato në kanale të dedikuara. Kështu, do të ketë kanale të posaçme që do të transmetojnë vetëm zhvillime të Parlamentit, të tjera me programe vetëm për fëmije si edhe kanale dedikuar moshës së trete. Por sa do t’u kushtojë qytetarëve ky shërbim?

“Çdo aparat televiziv i prodhuar pas vitit 2006 e ka të inkorporuar dekoderin universal. Pra çdo kanal që e sheh sot pa pagesë, do ta shoheësh edhe nesër pa pagesë. Familjet që e kanë aparatin e televizorit më të vjetër se 2006 do të duhet të blejnë një dekoder”, thotë Erald Kapri, Anëtar i Këshillit të Ankesave në AMA.

Për familjet e trajtuara me ndihmë ekonomike është menduar që të përfitojnë nga fondi i posaçëm, i cili do të shpërndahet nga pushteti lokal.

Top Channel