PD: Pazare me legalizimet në Durrës, policia fsheh plagosjen

20/09/2016 00:00

Partia Demokratike akuzon policinë se ka fshehur plagosjen e drejtorit të ALUIZNI-t për Durrësin, Flamur Gjuzi, që sipas saj është bërë për “pazare legalizimesh”.

Sipas opozitës, Gjuzi është plagosur në ambientet e një lokali nga shtetasi me inicialet G.Xh. dhe policia e ka trajtuar ndryshe.

“Është mbajtur e fshehur nga policia dhe ka patur përpjekje për ta trajtuar sikur është qëlluar në ajër, ndërkohë që drejtori i ALUIZNI-t është plagosur në këmbë”, thotë Partia Demokratike, që akuzon drejtpërdrejtë Drejtorin e Policisë së Durrësit për këtë.

“Partia Demokratike denoncon me forcë fshehjen e kësaj ngjarje të rëndë dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të njerëzve të Edi Ramës në këto pazare. Kjo është një provë tjetër që tregon se drejtuesit e Ramës nuk janë aty për të zbatuar ligjin, po për të mbyllur hesapet”, thuhet në deklaratën e PD.

Deklarata e opozitës mbyllet me thirrjen që “të bëhet menjëherë transparencë për rrethanat dhe motivet. Çdo fshehje e mëtejshme e ngjarjes është një krim edhe më e i rëndë që bëhet me dijeninë e bekimin e Edi Ramës”, thotë PD.

Top Channel