Manchester United, Mourinho dhe hija e Van Gaal

19/09/2016 00:00

Duket se nuk ka fund makthi i tifozëve të Manchester United. E nisën javën e shkuar me shijen e hidhur në derbin me City, vijuan me një grusht të rëndë nga Feyenoord në Europa League dhe për mbyllje erdhi një humbje poshtëruese nga Watford.

Lista e të akuzuarve është e gjatë, jo vetëm me Paul Pogba. Janë shumë të dhëna që dënojnë në këtë fillimsezoni trajnerin Mourinho. Në fakt, portugezi nuk humbiste 3 ndeshje radhazi që nga viti 2006: me pak fjalë kjo është fundjava më e keqe e 10 viteve të fundit e të ashtquajturit “Special One”. Dhe jo vetëm kaq. Rikthimi në Premier League tregon një regres të karrierës së portugezit. Aventura te Chelsea vitin e shkuar dhe e reja me United kanë regjistruar vetëm të dhëna negative: 14 humbje në 32 ndeshje dhe në 21 të fundit 33% e ndeshjeve janë humbje. Numra aspak specialë.

Dhe siç ndodh gjithnjë, portugezi është fokusuar përgjithësisht te kritikat për abitrimin apo për futbollistë të caktuar. I fundit nga fajtorët është Luke Shaw, që pasi u zëvendësua gjatë ndeshjes, mori edhe një lumë me kritika nga trajneri. Faqet e para të tabloideve në Britani i kanë dhënë një hapësirë shumë të madhe kësaj ngjarjeje. “Eurosport”, me një ironi therëse, ka postuar karikaturën e radhës, që bën një paralelizëm mes portugezit dhe paraardhësit të tij Van Gaal.

Gjithsesi, ajo që mund të kuptohet në këtë moment është se durimi i tifozëve ka shkuar në limit.

Top Channel