Rusi, Putin fiton zgjedhjet, por pjesëmarrja në rënie

19/09/2016 00:00

Me 90 për qind të fletëve të votimit të numëruara, Rusia e Bashkuar, partia e presidentit Vladimir Putin, ka siguruar 54.21 për qind të tyre, duke avancuar shumë më tepër nga sa i jepej në sondazhet e një dite më parë.

Partia Komuniste renditet e dyta me 13.54 për qind të votave, Liberal-demokratët të tretët me 13.28 për qind dhe Rusia e Drejtë e katërta me 6.19 për qind.

Ndërkohë, partitë e opozitës nuk kanë arritur të kalojnë pragun elektoral prej 5 për qind dhe as atë prej 3% që u jep akses në financimet publike.

Nga ana tjetër, pjesëmarrja në zgjedhje ra me 47.84 për qind, sipas agjencisë së lajmeve “Interfax”.

“Rezultati elektoral për Rusinë e Bashkuar ka qenë i mirë. Pjesëmarrja jo dhe aq, por gjithësesi pozitive”, kanë qenë komentet e para të presidentit Putin.

“Njerëzit kanë besim tek ne për të mirën e vendit. Përpara kemi sfida me të cilat duhet të përballemi dhe probleme për të zgjidhur”, ka thënë Putin.

Në të njëjtat linja është shprehur kryeministri rus Dmitry Medvedev, njëkohësisht kryetari zyrtar i Rusisë së Bashkuar.

“Mund të themi pa mëdyshje se partia jonë ka fituar. Rezultati është i mirë, partia jonë do të ketë mazhorancë absolute. Sesa e gjerë do të jetë kjo mazhorancë, kjo do të caktohet në përfundim të numërimit”, ka thënë Medvedev.

Top Channel