Debutim i hidhur për Berishën, Cagliari thyen Atalantën

18/09/2016 00:00

Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, debutoi me skuadrën e tij të re Atalanta. Në të vërtetë, ishte një debutim i hidhur për gardianin kuqezi, i cili personalisht bëri një paraqitje të mirë pavarësisht se pësoi 3 herë, duke u vlerësuar nga Sportmediaset me notën 7.

Në “Sant’Elia” rezultati zhbllokohet që në minutën e 8, kur Borriello shënon golin e parë. Miqtë kishin mundësi të barazonin në të 36-n, por Paloschi nuk ishte i saktë nga pika e bardhë.

Në pjesën e dytë, kur luhej minuta e 55 Sau dyfishon epërsinë, në një episod ku Berisha mund të kishte reaguar më mirë. Në të 73-n, Borriello realizon një tjetër gol spektakolar nga goditja e dënimit për të vulosur fitoren e parë sezonale. Cagliari-Atalanta 3-0.

Në sfidat e tjera, Chievo mori një fitore dramatike e të rëndësishme në transfertën ndaj Udineses. Skuadra e Maran fitoi 1-2 për të shkuar në kuotën e 7 pikëve pas katër ndeshjesh.

Torino dhe Empoli ndanë pikët në barazimin pa gola 0-0, ndërsa Sassuolo fitoi 2-0 në shtëpi ndaj Genoas.

Top Channel