Tiranë, 5 procese me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm

17/09/2016 00:00

Në një kohë kur Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj tre mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni” për vdekjen e nënës dhe foshnjës së palindur, në Gjykatën e Tiranës ende nuk ka përfunduar procesi i gjykimit ndaj dy mjekëve të tjerë të po këtij materniteti.

Bëhet fjalë për mjekun gjinekolog Petrit Rexhepi dhe anestezisten Elona Burba të cilët akzuohen për vdekjen e Dorjana Hakës, ish-bashkëshortes së futbollistit të Partizanit, pas lindjes së fëmijës, ngjarje kjo e ndodhur dy vite më parë.

Por ky nuk është procesi i vetëm ndaj mjekëve në Gjykatën e Tiranës. Katër procese të tjera ku akuzohen 5 mjekë për mjekim të pakujdesshëm vazhdojnë gjykimin prej më shumë se një viti. Zgjatja pa fund e proceseve gjyqësore ndaj mjekëve dhe në fund një përqindje mjaft e ulët e shpalljes fajtorë të tyre ose dënimit me gjoba, tashmë është një fenomen në realitetin shqiptar.

Të tilla kanë qenë edhe proceset gjyqësore ndaj dhjetëra mjekëve të tjerë edhe në rrethe të cilët janë denoncuar nga familjarët e pacientëve që kanë humbur jetën, siç ishte rasti i vdekjes së 17-vjeçares nga Malqi i Korçës pas një operacioni për heqjen e bajameve, dhe që në fund mjeku rezultoi i pafajshëm.

Zvarritja e këtyre proceseve me eskpertiza të njëpasnjëshme kanë sjellë jo në pak raste reagimin e familjarëve të viktimave, të cilët nuk e kanë fshehur që zvarritja e gjykimit i kanë bërë të mendojnë si zgjidhje vetëgjyqësinë.

Top Channel