Kosovë, Mustafa njofton kompletimin e ekipit menaxhues për Asociacionin

16/09/2016 00:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka zhvilluar këtë të premte një takim me shefen e re të zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, zëvendësshefen e misionit të OSBE-së, Paivi Nikander, si dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie.

Gjatë takimit u bisedua për procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel.

Në takim u theksua përkushtimi i Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve dhe u vlerësua se, ditëve të fundit është krijuar një atmosferë pozitive në këtë proces.

Gjithashtu u bë e ditur se është kompletuar ekipi menaxhues, i cili në bashkërendim me institucionet e Kosovës, OSBE-në, BE-në dhe me përkrahjen e Ambasadës së SHBA-ve, do të punojë në hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në harmoni të plotë me marrëveshjen e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Top Channel