Supertajfuni “Meranti” përfshin Tajvanin, kërcënon Kinën

14/09/2016 00:00

Mijëra njerëz janë evakuuar dhe mijëra shtëpia kanë mbetur pa energji elektrike në Tajvan, pas mbërritjes së supertajfunit “Meranti”, stuhia më e fuqishme e këtij viti.

Tajvani dhe Kina kanë shpallur gjendjen e gatishmërisë së lartë, ndërsa stuhia epike po godet ishullin me erëra deri në 370km/h, më të shpejta se makinat e Formula 1 dhe reshje të dendura.

Shkollat dhe institucione në jug të Tajvanit janë mbyllur dhe dhjetëra fluturime janë anuluar. Fatmirësisht nuk raportohet për viktima në Tajvan. 4 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa rreth 4 000 policë dhe ushtarë janë dislokuar në zonat e prekura më rëndë për evakuime të ardhshme që mund të nevojiten.

Megjithatë, autoritetet tajvaneze u shprehën se janë marrë masat e duhura dhe nuk pritet shkatërrim apo dëme masive.

Meteorologët thonë se 23 milionë njerëzit në Tajvan do të lagen ndjeshëm nga supertajfuni, i cili gjithsesi forcën e tij kryesore do ta zbrazë në Kinë.

Pritet që stuhia kolosale të mbërrijë në provincat Guangdong dhe Fujian të enjten gjatë ditës. Autoritetet kineze bënë me dije se po merren masa emergjence në gjashtë provinca jugore, ku përfshihet edhe qyteti i Shangait.

Supertajfuni “Meranti” është më i forti që godet Tajvanin në 21 vjet dhe kur të mbërrijë në provincën kineze Gunagdong do të jetë më i forti që godet këto zona në 47 vitet e fundit.

Top Channel