Eric Vinger dhe Edino Mustafiç janë dy emra të rëndësishëm që do të jenë pjesë e Teatrit Kombëtar, përkatësisht me shfaqjet “Lucrece Borgia” dhe “Equus”, çka dëshmon një hapje të këtij institucioni.

Por, sërish drama shqipe është në mungesë. “Kompleksi i Edipit” me autorësi të Ferdinand Hysit, e vetmja shqiptare, ndër tetë shfaqjet e këtij sezoni, është shtyrë.

Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar, thotë: “Kam një vepër të miratuar nga bordi, por jam detyruar ta shtyj për të qenë sa më korrekt me dëshirën time që ajo vepër të dalë me fuqinë e saj të plotë. Nuk është kollaj që një vepër shqiptare, po nuk plotësoi parametrat, të bëhet pjesë e skenës së Teatrit Kombëtar”.

Hervin Çuli ka folur shpesh për sukseset e sezonit të shkuar. Për të, Ministria e Kulturës duhet të ofrojë një buxhet më të lartë: “Teatri ka një buxhet relativisht të ulët”.

Pas deklaratës së Kryeministrit mbi vendndodhjen e teatrit të ri kombëtar, ky institucion do të kalojë në një fazë tranzit tek godina e re “Turbina”, çka për publikun që është mësuar me truallin ekzistues, nuk dihet se sa do zgjasë.

“Për ne do të jetë një periudhë tranzitore dhe do të ndërtohet një teatër i saktë”, thekson Çuli.

Ka ndodhur që shfaqjet e suksesshme të priten në kulmin e audiencës, për shkak të ngjeshjes së kalendarit, çka rëndom nuk ndodh me një homolog evropian. “Duhet gjetur zgjidhje, pasi është gjynah”.

Opera me Tre Grosh, Pushteti i Grave dhe Makbeth do të jenë pjesë e e kalendarit të këtij sezoni. Një sfidë më vetë eshtë se si Shekspiri do të vijë për këtë sezon.

Top Channel