Burg pa afat nënës tutore, 40-vjeçarja pranon abuzimet ndaj së bijës

13/09/2016 00:00

E braktisur nga familja dhe me një pamje të përvuajtur ka mbërritur këtë paradite në gjykatën e Fierit nëna e vajzës së mitur, të abuzuar nga partneri i saj.

Shtetasja Selvie Yzeiraj fillimisht ka mohuar akuzat përpara kamerave, por ka heshtur pasi është këshilluar nga avokati i saj.

Gjatë seancës, trupa gjykuese ka vendosur ndaj saj masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat, nën akuzën e “abuzimit seksual” dhe “përdorimit të lëndëve narkotike”.

Ndryshe nga qëndrimi i 40-vjeçares, burime të Prokurorisë së Fierit kanë deklaruar për Top Channel se, gjatë marrjes në pyetje gruaja ka pranuar kryerjen e abuzimeve ndaj së miturës dhe madje ka pohuar se e ka parë me sytë e saj atë.

Për rrjedhojë, prokurorët i kanë komunikuar se do të akuzohej për bashkëpunim. Ndërkohë, për partnerin e saj, shtetasin Ilmi Hoxha, do të rëndojnë akuzat më të rënda, konkretisht ajo e “abuzimit me të mitur” dhe “përdorim narkotikësh”.

Vajza 12 vjeçe e Selvie Yzeirajt e denoncoi javën e kaluar në polici dhunimin të cilit i nënshtrohej nga njerku i saj. Nga hetimet rezulton se, nëna e saj ka qenë e arrestuar disa muaj më parë në Durrës për ushtrim prostitucioni.

Top Channel