Udineze befason Milanin, tjetër disfatë për ‘Kuqezinjtë’

11/09/2016 00:00

Udineze ka befasuar Milanin në shtëpi, duke u shkaktuar “Kuqezinjve” humbjen e dytë radhazi në tre ndeshjet e para të Serisë A.

Milani ishte më këmbëngulës në kërkim të golit gjatë gjithë takimit, por skuadra e drejtuar nga Montella ishte e paqartë në fazën finale të aksioneve të ndërmarra, ku as Bacca dhe as Bonaventura e Suso nuk gjetën dot rrugën e rrjetës.

Friulianët, që në këtë transfertë kishin ardhur për barazim, ishin të rreshtuar mirë në prapavijë dhe rrezikuan disa herë me kundërsulme, por golin do ta gjenin në minutën e 88, kur një kros nga krahu i djathtë i sulmit gje Perican, i cili duke përfituar edhe nga përgjumja e mbrojtjes së Milanit, godet qetësisht në kendin e largët të portës së mbrojtur nga Donarumma.

Në ndeshjet e tjera, Torino u mposht nga Atalanta 2-1, Lacio barazoi 1-1 në transfertë me Kievon, ndërsa Xhenoa Fiorentina u braktis për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.

Top Channel