Edhe gratë paqeruajtëse

09/09/2016 00:00

Angelina Jolie apeloi për një mënyrë të re veprimi sa i takon paqeruajtjes, e cila të fokusohet tek përfshirja e femrave në misione të tilla. E ftuara e veçantë e samitit të OKB-së në Londër inkurajoi vendet e botës të nënshkruajnë një marrëveshje ku përfshihet zotimit për rritjen e pjesëmarrjes së grave në procesin e ruajtjes së paqes.

“Forcat paqeruajtëse vetëm përfitime mund të kenë nëse angazhojnë si burrat ashtu edhe gratë. Në këtë mënyrë, ata do ta fitojnë akoma më shumë besimin e vendasve. Kur u takova para pak kohësh me krerë të lartë ushtarakë për të diskutuar sfidat që rëndojnë mbi barrën tonë të sigurisë, pashë se ata e kishin mjaft të qartë idenë se gratë paqeruajtëse dhe oficerët femra të policisë janë të një rëndësie kyçe për efikasitetin operacional dhe aprovimin e vendasve”, tha Jolie.

Aktorja e famshme hollivudiane, e angazhuar që në vitin 2001 me organizatën e Kombeve të Bashkuara, kujtoi se ka një vijë të madhe ndarëse mes shteteve që janë të përgatitura ta ndërmarrin një nismë të tillë e që e kuptojnë nevojën e përfshirjes femërore në të tilla misione dhe atyre të cilët ende nuk e konsiderojnë të mundshme një gjë të tillë. Përpara kësaj ndërhyrjeje, e dërguara speciale e agjencisë së OKB-së për refugjatët, ka tërhequr me shumë ngulm vëmendjen tek kriza e emigrantëve sirianë.

Top Channel