Refugjatët sirianë në Turqi, BE-ja lançon programin historik humanitar

08/09/2016 00:00

Bashkimi Europian lançon këtë herë programin humanitar më të madh në historinë e unionit, me një vlerë totale prej 348 milionë eurosh, e që ka të bëjë me një “sistem tërësisht inovativ”, përmes të cilit bëhet transferimi i parave drejtpërdrejt te refugjatët sirianë në Turqi.

Paratë, siç shpjegoi edhe Komisioneri europian për Krizat Humanitare, Christos Stylianides, do të kalojnë drejtpërdrejt te kartat e kreditit çdo muaj, për t’u lejuar atyre të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre personale.

Programi, i cili është i destinuar të mbështesë një milion refugjatë sirianë në Turqi, bën pjesë në marrëveshjen prej 3 miliardë dollarësh mes BE-së dhe Turqisë. Sipas asaj që shpjegoi Stylianides, çdo familje refugjatësh sirianë do të marrë një kartë elektronike, përmes së cilës do të sigurojë edhe paratë, që do të mund të shpenzohen për të blerë ushqime apo edhe për të paguar shpenzimet arsimore.

“Bëhet fjalë për një sistem inovativ të zhvilluar falë bashkëpunimit me autoritetet e Ankarasë”, ka nënvizuar komisioneri, një program që do të kryhet përmes “Programit Botëror të Ushqimit”. Stylianides thekson se sistemi i ri mund të përfaqësojë një “kthim historik” në skemën e ndihmave humanitare, sepse “redukton kostot e ndërmjetësimit dhe shumëfishon efektet”.

“Programi, – shprehet komisioneri, – do të ndiqet nga shumë pranë për t’u siguruar se çdo euro e dhënë të shpenzohet në mënyrën e duhur”.

Top Channel