“Beteja” e 2 miliardë eurove, Man.Utd VS Man. City

08/09/2016 00:00

E ashtuquajtura “armiqësi” mes Mourinho-s dhe Guardiola-s transferohet në Premier League-n angleze. Këtë fundjavë do të luhet derbi i Manchester-it mes United dhe City-t, ku përballë do të jenë trajnerët më mediatikë, që kanë fituar më shumë tituj, por që edhe kanë shpenzuar më shumë në merkaton e transferimeve, madje sfida e së shtunës konsiderohet si dueli i 2 miliardë eurove.

Portugezi, gjatë karrierës së tij deri tani në 5 skuadra ka bërë që drejtuesit e tyre të derdhin 1.2 miliardë euro për të blerë lojtarët e kërkuar prej tij, një shpenzim ky rekord me të cilin rivalizon Guardiola. Që nga momenti i prezantimit në “Camp Nou” në 2008, Guardiola, në 3 klubet që ka marrë përsipër të drejtojë, u ka kërkuar drejtuesve shpenzime prej 748 milionë eurosh për futbollistët e dëshiruar. Kjo do të thotë se mesatarisht luzitani ka shpenzuar 82.66 milionë euro në merkato, ndërsa katalanasi, 93.56 milionë.

Kjo verë nuk e ka ndryshuar aspak tendencën në këtë aspekt. Manchester United dhe City së bashku kanë shënuar shpenzime totale prej 400 milionë eurosh, nga të cilat 213 dolën nga arkat e Citizens që siguruan shërbimin e lojtarëve si Stones, Sane apo Gundogan, që përbën edhe një rekord për Premier League.

Ndërsa te Manchester United, Mourinho për 2016, i gëzohet blerjes më të shtrenjtë në historinë e  futbollit, atë të Paul Pogba, prej 105 milionë eurosh.

Top Channel