Paris, arrestohet për terrorizëm. Në makinë iu gjetën 7 bombola gazi

07/09/2016 00:00

Policia e Parisit ka arrestuar një person të përfshirë në listën e “mbikëqyrjes” për terrorizëm, pasi automjeti i tij është gjetur panë Katedrales “Notre Dame” me 7 bombola gazi brenda saj.

Automjeti i tipit “Peugeot 607” u gjet me bllokazhet e aktivizuara dhe pa targa, bën të ditur policia. Njëra prej bombolave, e ndodhur në sediljen e përparme të pasagjerit, ishte bosh, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë pajisje aktivizimi për shpërtim brenda saj.

Në nëntor, 130 persona humbën jetën në Paris pas një serie sulmesh terroriste të ndërmarra nga i ashtuquajturi Shtet Islamik.

Policia ka arrestuar edhe një bashkëpunëtor të pronarit të automjetit, edhe ky i njohur për “blutë” e kryeqytetit francez, sipas asaj që bën të ditur agjencia e lajmeve “AFP”. Ndërkohë, media të tjera franceze thonë se janë arrestuar një sërë personash, pa dhënë numër të saktë.

Edhe pse nuk janë gjetur pajisje shpërthyese, në automjet policia ka gjetur dokumente të shkruara në arabisht. Oficerët spekuluan se dritat e bllokazhit mund të ishin ndezur për të tërhequr vëmendjen. “Mendojmë se ai mund të ketë qenë duke u përpjekur të kryente një test”, tha një zyrtar i policisë për “AFP”-në.

Mjeti u gjet në “Quai de Montebello”, vetëm pak metra larg katedrales, përgjatë shtratit të lumit Senë. Në Francë është ende në fuqi gjendja e emergjencës, e vendosur që prej sulmeve të nëntorit të kaluar në Paris. Që prej asaj kohe, edhe 84 persona të tjerë humbën jetën kur një kamion i drejtuar nga Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, edhe ky i frymëzuar nga ISIS, u përplas me një turmë njerëzish në qytetin jugor të Nicës, në korrik, të mbledhur për festimet e Ditës së Bastijës.

Top Channel