F1, Alonso: Në vitin 2017 mund të mos garoj më

07/09/2016 00:00

Fernando Alonso nuk e përjashton mundësinë që të qëndroje jashtë Botërorit të Formulës 1 në vitin 2017. Në një intervistë për të përditshmen austriake, “Kleine Zeitung”, spanjolli deklaroi se mund ta ndërmarrë këtë vendim, nëse situata te McLareni nuk do të përmirësohet.

“Nëse gjërat nuk do të përmirësohen, atëherë mund të mos garoj në Botëroirn e Formulës 1 vitin e ardhshëm. Për më tepër, në vitin 2017 më skadon kontrata me McLaren dhe duhet që të nisin bisedimet për rinovimin e saj. Në të njëjtën kohë duhet të marr parasysh edhe situatën personale. Tashmë jam 35 vjeç dhe, pas 16 vitesh garimi, ajo që dua është vetëm të argëtohem”, ka thënë Alonso.

Fernando Alonso foli edhe për të kaluarën e tij te Ferrari, duke shfaqur pakënaqësitë e tij ndaj “kokëkuqes” italiane.

“Te Ferrari e ndjeva që mund të luftonim vetëm për vendin e dytë dhe kjo nuk ishte e drejtë. Kur shkova te kjo skuadër, Montezemolo ishte president ndërsa Domenicali drejtor i Përgjithshëm. Ishte një grup i mirë. Por gjatë vitit tim të fundit atje ndryshuan shumë gjëra dhe m’u krijua përshtypja se nuk kisha më vend te Ferrari. Ndodhën shumë gjëra të çuditshme dhe për çdo gabim isha unë që fajësohesha”, shton Alonso.

Top Channel