Debat për shtyrjen e investimeve, Komisioni i Ekonomisë miraton aktin normativ të buxhetit

06/09/2016 00:00

Deputeti Erjon Braçe debatoi në Komisionin e Ekonomisë me ministrin Financave, Arben Ahmetaj në lidhje me reduktimin e investimeve me financim të huaj, të parashikuara në ndryshimet e buxhetit aktual.

Gjatë diskutimeve për aktin normativ, Braçe kërkoi informacion për rrugën Tiranë-Elbasan dhe “baypass”-et e Fierit dhe Vlorës. Ministri i Financave u përgjigj se rruga Tiranë-Elbasan  ka marrë zgjidhje pas rishikimit të projektit dhe shtimit të fondeve, ndërsa dy “bypass”-et kanë probleme mes kontraktorëve dhe nënkontraktorëve dhe pritet që të ndërhyje edhe qeveria për të gjetur një zgjidhje.

“Një nga problematikat kryesore të “bypass”-it të Fierit është edhe kostoja e ulët jo reale e tenderimit dhe çështja kryesore ka të bëjë me kontraktorët dhe nënkontraktorët. Të dyja “bypass”-et janë në tryezë për bisedime intensive të qeverisë për zgjidhje”, tha Ahmetaj.

“E quaj të papranueshëm faktin që ka probleme midis kontraktonit dhe nënkontraktorit dhe në këtë histori involvohet qeveria. Qeveria mund të involvohet thjesht dhe vetëm për zbatimin e kontratës. Është momenti që të ndahen përgjegjësitë kur humbim afatet kontraktuale”, tha Braçe.

Komisioni i Ekonomisë miratoi me votat e mazhorancës aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të këtij viti. Opozita përfaqësohej vetëm nga deputetja e Vlorës, Lilijna Elmazi.

Ministri i Financave tha se edhe pse ka ulje të të ardhurave me rreth 4,4 miliard lekë nuk preken ato tatimore, ndërkohë që janë parashikuar një sërë rialokimesh të fondeve për investime. Akti normativ  parashikon ulje të deficitit buxhetor dhe përdorimin për investime dhe reduktim të borxhit të rreth 2,2 miliardë lekëve të përfituara nga privatizimi i INSIG-ut.

Top Channel