“Brexit”, protesta në rrugët e Londrës. Diskutime në Parlament për peticionin

05/09/2016 00:00

Demonstruesit kundër “Brexit”-it dolën sërish këtë fundjavë në rrugët e Londrës, për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj rezultatit të referendumit të qershorit për shkëputje nga Bashkimi Europian.

Tubuesit, një pjesë e të cilëve mbanin në duar flamuj të BE-së, ndërsa të tjerë kishin lyer fytyrën me ngjyrat e flamurit të bllokut, marshuan nga parku “Hyde” deri përpara ndërtesës së Parlamentit, ku ligjvënësit britanikë pritet të diskutojnë mundësinë e mbajtjes së një referendumi të dytë.

Peticioni “online”, që këmbëngul për një mundësi të tillë, ka mbledhur deri më tani më shumë se 4 milionë firma.

Qeveria britanike e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të mbajë një referendum të dytë dhe se do të respektojë vullnetin e zgjedhësve, por kryeministrja Theresa May nuk do të nxitohet megjithatë të kërkojë aktivizimin e “artikullit 50” përpara vitit të ardhshëm.

Në Kinë, ku ndodhet për samitin e G20-s, ajo e ka diskutuar çështjen e “Brexit”-it me Barack Obamën, ndërsa po kujdeset që të dy vendet të kenë marrëdhëniet tregtare më të ngushta të mundshme.

“Folëm mbi vendimin e Britanisë për shkëputjen nga BE-ja, për procesin tani dhe për atë çfarë nënkupton për marrëdhëniet tona me miqtë europianë dhe me vendet e tjera gjithashtu. Britania ka qenë gjithmonë një partnere e fuqishme e Shteteve të Bashkuara dhe ashtu do të vazhdojë të mbetet”, tha Theresa May.

Referendumi i qershorit tregoi se vetëm 52% e votuesve ishin mbështetës të largimit, ndërsa pjesëmarrja llogaritej në 72%.

Top Channel