Dori do të ishte 58 vjeç

03/09/2016 00:00

Teodor Keko dje do të kishte mbushur 58 vjeç. Dori, sic e thërrisnin të gjithë ishte i ri për t’u shuar, por jo për të shpalosur fenomenin e rrallë të letërsisë shqipe, sidomos kjo në një nga periudhat më të vështira të tranzicionit në Shqipëri; ajo pas viteve ’90, gjurmë të cilat u pasqyruan në jetën dhe veprën e tij komplekse.

Ai iku nga ky vend duke ulëritur me ato që shkruante, por edhe pse fizikisht i ikur, ai ka lënë kujtimet e një bohemi të papërsëritshëm.

“Mendova që e kalova më datë 20, që ishte përvjetori i 14-të i vdejes dhe mendova që ishte ajo dita më e keqe e vitit, por çuditërisht edhe dje u ndjeva shumë keq. Ai e dinte që po ikte! E ndjente që po ikte fizikisht nuk ishte më”, rrëfen Xhuliana Keko, bashkëshortja e Teodorit.

Thuhet që dashuria e tij ka qenë e madhe, por e shprehur keq.

“Kur njeriu martohet, krijon familje e do 24 orë në 7 ditë. Dori nuk mund të ishte i yni 24 orë në 7 ditë fizikisht”, thotë Xhuliana.

Vështirtë të thuhet se ai pati një jetë të mirë. Si ekzistencialist ai u rropat në të jetuarin e vet, por kompromisi ishte diçka që ai nuk e mësoi dot kurrë.

Vetmi, sekret, ankth, tjetërsim dhe më shumë brishtësi. Të gjithë këta përbrës i kanë ndeshur tek ai njerëzit që e kanë njohur Dorin. Jeta dhe vepra e të cilit rrëfeu një ndër kapërcimet më të dhimbshme drejt lirisë së një shteti.

Top Channel