Presidenti që vdes dhe ringjallet

03/09/2016 00:00

Drejton Zimbabven prej vitesh, por nuk bën pjesë tek udhëheqësit e preferuar nga vendet Perëndimore, që e kanë kritikuar shpesh për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Por në moshën 92-vjeçare, Presidenti i Zimbabves, Robert Mugabe jo vetëm që vazhdon të Qeverisë, por nuk i ka humbur as humori.

Javët e fundit qarkulluan zëra se ai ishte sëmurë dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, madje disa prej këtyre zërave, duke u nisur nga mungesa e gjatë e shfaqjes së tij në publik, thonin se ai kishte vdekur.

Mugabe u shfaq dhe jo vetëm që u shfaq, por edhe me humor të mirë.

“Po është e vërtetë. Vdiqa dhe u ringjalla sërish, siç bëj gjithmonë dhe bëhem më i vërtetë se kurrë kur vij në vendin tim”, iu përgjigj ai zërave që flisnin për vdekjen e tij.

Raportohet se Presidenti i njërit prej vendeve më të varfra në botë ishte i shtruar në një spital në Dubai gjatë kësaj periudhe, ndërsa më herët bashkëshortja e tij iu përgjigj akoma më ashpër zërave se ai kishte vdekur.

“Robert do të qeverisë këtë vend edhe nga varri”, tha Grace Mugabe.

Zimbabve është përfshirë nga protestat dhe përleshjet mes mbështetësve të opozitës dhe policisë, ku nuk kanë munguar as viktimat.

Top Channel